“Ceremonia e Hapjes së Vitit të Ri Akademik 2025–2026”

Më datë 6 tetor 2025 në ambjentet e “Albanian University”, u zhvillua Ceremonia e Hapjes së Vitit të Ri Akademik 2025–2026.

Ky vit i ri akademik u çel me një moment të rëndësishëm — prezantimin e Rektorit të ri të Albanian University, Prof. Dr. Julian Fink.

Në fjalën e saj , Zv. Rektore Prof. Aida Dama e cilësoi këtë një moment historik për universitetin dhe për arsimin e lartë shqiptar, pasi për herë të parë një profesor austriak emërohet rektor në një universitet shqiptar.

Prof. Dr. Julian Fink është një studiues i shquar në fushën e filozofisë, me një karrierë të gjerë ndërkombëtare. Ai ka përfunduar studimet Master dhe Doktoraturë në Universitetin e Oksfordit, dhe ka punuar në universitete publike dhe private në Norvegji, Austri, Zvicër, Sllovaki dhe Gjermani.

Emërimi i tij shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të universitetit, duke sjellë energji të re, vizion dhe integritet në komunitetin akademik.

Ai sjell me vete jo vetëm ekspertizë akademike ndërkombëtare, por edhe një vizion të qartë dhe përkushtim për të mbështetur studentët dhe të gjithë komunitetin universitar. Nën drejtimin e tij, do të ketë më shumë bashkëpunime ndërkombëtare, projekte kerkimore inovative, shkëmbime akademike dhe përvoja transformuese në mësim.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori Profesor Julian Fink theksoi se Albanian University është një institucion privat, por me një mision publik.

-Synojmë të jemi një qendër udhëheqëse e dijes në Shqipëri dhe në rajon, e njohur për ekselencë, inovacion dhe hapje ndaj botës. Qëllimi ynë është që studentët të mos kenë sukses vetëm në karrierën e tyre, por edhe të bëhen qytetarë të angazhuar që kontribuojnë në një shoqëri më të begatë, etike dhe demokratike.

Si rektor, ndihem krenar dhe i përkushtuar për të mbështetur zhvillimin tuaj akademik personal. Ju — studentët tanë — jeni në qendër të gjithçkaje që bëjmë. Ju jeni arsyeja e ekzistencës sonë, dhe suksesi juaj është suksesi ynë!

-Ceremonia u përshëndet gjithashtu nga dekanet e Albanian University — Prof. Erda Qorri, dekane e Fakultetit të Shkencave Mjekësore- Prof. Valbona Loshi, dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore dhe Prof. Valbona Ribaj, dekane e Fakultetit të Shkencave të aplikuara dhe ekonomike të cilat uruan studentët për një vit akademik të suksesshëm, me arritje, përvoja të vlefshme dhe mbështetje të plotë nga stafet akademike dhe administrative të Universitetit.

Suksese të gjithë studentëve të Albanian University!