Bursat dhe mbështetja financiare për studentët
Albanian University mbështet dhe promovon studentët që dallohen për rezultate të shkëlqyera akademike, si dhe studentët që kanë nevojë për mbështetje financiare, duke synuar krijimin e mundësive të barabarta për arsimim dhe nxitjen e ekselencës akademike.
Në kuadër të politikave të tij institucionale, Universiteti ofron mbështetje financiare për studentët, e cila përballohet nga buxheti i Universitetit dhe organizohet në këto kategori:
- Programi i Ekselencës, për studentët me rezultate të shkëlqyera akademike;
- Bursa për kategori të tjera, për studentët që i përkasin kategorive të veçanta sociale dhe që kanë nevojë për mbështetje financiare.
Kategoritë e studentëve përfitues të bursave përcaktohen me vendim të Bordit të Administrimit, ndërsa kriteret, kushtet dhe procedurat e detajuara për përfitimin e tyre miratohen me vendim të veçantë të Senatit Akademik.
Programi i Ekselencës
Promovimi dhe mbështetja e studentëve më të mirë përbën një nga prioritetet e Albanian University dhe pjesë të angazhimit të tij për rritjen e cilësisë akademike dhe përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes në fusha të ndryshme të dijes.
Programi i Ekselencës synon të tërheqë studentë me rezultate të larta akademike, të shpërblejë arritjet e tyre dhe të krijojë kushte motivuese për zhvillimin e mëtejshëm të potencialit të tyre intelektual dhe profesional.
Përmes këtij programi, Universiteti synon të nxisë konkurrencën pozitive, përkushtimin ndaj studimeve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të performancës akademike.
Përfituesit e Programit të Ekselencës për vitin akademik 2026–2027
Për vitin akademik 2026–2027, bursat në kuadër të Programit të Ekselencës janë përfituar nga gjithsej 53 studentë, të ndarë si më poshtë:
- 13 studentë përfitojnë bursë ekselence;
- 4 studentë përfitojnë bursë me reduktim 50% të tarifës së studimit;
- 36 studentë përfitojnë bursë me reduktim 30% të tarifës së studimit.
Vijimësia e Programit të Ekselencës
Albanian University mbështet gjithashtu vazhdimësinë e Programit të Ekselencës për studentët e viteve pasuese të studimit, të cilët arrijnë rezultate të larta akademike në përfundim të çdo viti akademik. Në këtë vlerësim merret në konsideratë mesatarja e përgjithshme e studimeve, e llogaritur mbi bazën e rezultateve të arritura në të gjitha vitet akademike deri në momentin e vlerësimit.
Nëpërmjet kësaj nisme, Universiteti vlerëson arritjet e studentëve dhe i motivon ata për të ruajtur dhe përmirësuar rezultatet e tyre gjatë gjithë ciklit të studimeve.
Programi synon jo vetëm të vlerësojë suksesin akademik, por edhe të nxisë përkushtimin ndaj studimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional.
Bursa për kategori të tjera
Në përputhje me politikat e tij institucionale dhe angazhimin për përgjegjësi sociale, Albanian University ofron edhe bursa dhe lehtësi financiare për studentët që u përkasin kategorive të veçanta sociale.
Në këtë kuadër, Universiteti ka mbështetur ndër vite studentë jetimë, studentë me aftësi të kufizuara, studentë nga komuniteti rom, si dhe fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës.
Këto iniciativa janë realizuar edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe institucione të tjera, duke dëshmuar angazhimin e Albanian University për të promovuar përfshirjen sociale, barazinë në arsim dhe mbështetjen e studentëve në nevojë.
Albanian University mbetet i angazhuar për të krijuar një mjedis akademik gjithëpërfshirës, ku merita, mundësitë e barabarta dhe mbështetja ndaj studentëve përbëjnë vlera themelore.
