Strukturat kryesore akademike dhe administrative, përkatësisht, në nivel fakulteti janë:
- Asambleja e Personelit Akademik;
- Dekanati;
- Dekani;
- Zëvendësdekani/ët;
- Drejtuesit e Departamenteve;
- Administratorët e Fakulteteve.
Asambleja e Personelit Akademik është organ kolegjial akademik i përbërë nga anëtarët e personelit akademik me kohë të plotë të fakultetit përkatës. Asambleja e Personelit Akademik është forumi më i lartë i fakultetit. Mbledhjet e asamblesë thirren dhe kryesohen nga Dekani i Fakultetit. Asambleja e Personelit Akademik zgjedh anëtarët e Senatit Akademik dhe ka kompetenca propozuese dhe rekomanduese.
Dekanati funksionon si organ kolegjial me natyrë ekzekutive. Ai ushtron funksione planifikuese, rekomanduese dhe mbikëqyrëse në lidhje me veprimtarinë e fakultetit dhe brenda kompetencave të tij. Dekanati kryesohet nga Dekani dhe përbëhet nga Zëvendësdekani/ët, Administratori i Fakultetit dhe Drejtuesit e Departamenteve.
Dekani është autoriteti më i lartë drejtues akademik i fakultetit dhe përfaqësues i tij. Dekani koordinon, organizon, drejton, kontrollon dhe përgjigjet për ecurinë e procesit mësimor dhe kërkimit shkencor në njësinë që drejton. Dekani koordinon veprimtarinë e Departamenteve dhe organeve të Fakultetit, si dhe zgjidh mosmarrëveshjet e mundshme ndërmjet tyre.
Dekani mbështetet në veprimtarinë e tij nga një ose disa Zëvendësdekanë, në varësi të nevojave dhe kapaciteteve të fakultetit. Zëvendësdekani kryen detyra sipas fushës së përgjegjësisë që mbulon, të përcaktuar nga Dekani dhe nën autoritetin e tij.
Drejtuesi i Departamentit është autoriteti drejtues akademik i asaj njësie dhe përfaqësues i saj, i cili drejton, organizon, koordinon dhe përgjigjet për punën mësimore dhe kërkimore-shkencore të Departamentit te Dekani. Drejtuesi i Departamentit organizon dhe drejton punën për hartimin e planeve dhe programeve mësimore, si dhe teksteve mësimore, për të gjitha ciklet e studimeve që mbulon Departamenti, si dhe ndjek zbatimin e tyre.
Administratori i Fakultetit është autoriteti drejtues administrativ përgjegjës për mirëfunksionimin financiar dhe administrativ të fakultetit, i cili ka varësi të drejtpërdrejtë nga Administratori i Përgjithshëm. Administratori i Fakultetit realizon administrimin e përditshëm financiar të fakultetit, duke bashkëpunuar ngushtë me Zyrën e Financës.
Veprimtaria dhe proceset e punës në Albanian University mbështeten nga struktura ndihmëse në nivel institucioni, të organizuara si:
- Njësi ndihmësakademike pranë Rektoratit me varësi nga Rektori, ndër të cilat përmenden, Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë (NJSBC), Zyra e Zhvillimit të Kurrikulave dhe Zyra e Koordinimit të Kërkimit Shkencor dhe Botimeve Akademike;
- Njësi administrative me varësi nga Bordi i Administrimit dhe Administratori i Përgjithshëm, ndër të cilat përmenden, Zyra e Financës dhe Zyra e Burimeve Njerëzore;
- Njësi ndihmëse dhe të shërbimit me varësi nga Bordi i Administrimit dhe Administratori i Përgjithshëm, ndër të cilat përmenden, Sekretaria mësimore, bibliotekat dhe klinikat universitare, si dhe shtëpia botuese “Albanian University Press”.
