KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i rregullores
- Kjo rregullore përcakton strukturat përbërëse të Këshillit Studentor dhe detyrat për secilin prej tyre.
- Përcaktohen rregullat për përgatitjen, organizimin, zhvillimin dhe shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve për kryetarin dhe anëtarët e Këshillit Studentor të “Albanian University”, si dhe kushtet e të drejtat dhe detyrimet e kandidatëve, procedurat për votimin, vlerësimin, shpalljen e rezultateve si dhe rregullat për administrimin dhe ruajtjen e dokumentacionit.
Neni 2
Baza ligjore
Në mbështetje të nenit 54 dhe 55 të ligjit Nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë” si dhe Statutit të “Albanian University”, hartohet kjo Rregullore për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Studentor të “Albanian University”.
Neni 3
Akronime
Në këtë rregullore termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
- “KSAU” – “Këshilli Studentor” i “Albanian University"
- “KS” – “Këshilli Studentor”
- “SS” – “Senati Studentor”
- “ZKMS” – “Zyra e Koordinimit dhe mbështetjes ndaj studentëve”
Neni 4
Objekti i veprimtarisë së KSAU
Këshilli Studentor i “Albanian University” është një organizim i pavarur, i cili promovon pjesëmarrjen e studentëve dhe koordinon përfaqësimin e tyre në organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë, në strukturat mësimore-kërkimore dhe të shërbimeve.
KSAU shpreh mendime dhe propozime për të gjitha problemet me interes të përgjithshëm të institucionit të arsimit të lartë, si për planet dhe programet e studimeve, rregulloret për veprimtaritë mësimore, të drejtën për të studiuar, cilësinë e shërbimeve, zhvillimin e veprimtarive të ndryshme kulturore, artistike, sportive etj.
Neni 5
Qëllimet dhe objektivat e veprimtarisë së KSAU
Këshilli Studentor i “Albanian University” ka këto qëllime dhe objektiva kryesore:
- Të trajtojë shqetësimet e studentëve dhe të veprojë për zgjidhjen e tyre;
- Të kontribuojë në rritjen e aftësive organizuese dhe administruese të grupeve më aktive të studentëve;
- Të krijojë struktura që shërbejnë për informimin e studentëve dhe të kujdeset për mbarëvajtjen e tyre;
- Të bashkëpunojë me organet drejtuese të Universitetit dhe të Fakulteteve me synim përmirësimin e nivelit mësimor e kërkimor-shkencor;
- Të ndërmarrë veprime që do të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së studentëve;
- Të krijojë struktura ndihmëse në zhvillimin e aktiviteteve ekstrakurrikulare për studentët;
- Të ofrojë shërbime lehtësuese për studentët;
- Të zhvillojë nivelin kulturor dhe arsimor të studentëve;
- Të kryejë aktivitete që synojnë argëtimin në format e tij më të larmishme.
Neni 6
Parimet kryesore të KSAU
Në funksionimin e Këshillit Studentor të “Albanian University” aplikohen parimet e bashkëpunimit si dhe të respektit të ndërsjellët.
KSAU nuk zhvillon veprimtari politike dhe ekonomike. Ky këshill është një organizëm jo politik, të cilit i ndalohet çdo lloj bashkëpunimi me parti politike dhe organizata politike. Të gjithë anëtarëve u ndalohet shfaqja politike publike, në emër të KSAU.
Neni 7
Vendndodhja e KSAU
- Këshilli Studentor i “Albanian University” e zhvillon veprimtarinë e tij në mjediset e “Albanian University”.
- Në aktivitetin e tij Këshilli Studentor i “Albanian University” respekton detyrimet e përcaktuara në Rregulloren e “Albanian University” dhe Aktet Ligjore në fuqi.
Neni 8
Të drejtat dhe detyrat e studentëve në marrëdhënie me KSAU
Çdo student, pasi ka depozituar kërkesën me shkrim te senatori i grupit, ky i fundit ja përcjell shqetësimin Koordinatorit të Fakultetit. Këshilli, pasi dëgjon shqetësimet e përcjella nga secili koordinator, vendos për problematikat që do i përcillen Senatit Akademik të “Albanian University” nëpërmjet Kryetarit të tij.
Çdo student ka të drejtë të informohet mbi veprimtarinë e KSAU.
KREU II
ORGANET DREJTUESE DHE FUNKSIONIMI I TYRE
Neni 9
Organizimi dhe organet drejtuese të KSAU
KSAU është organizimi më i lartë studentor në nivel institucioni.
Ai ka në përbërje të tij këto organe:
- Kryesia: Kryetari, Zv/Kryetari dhe Koordinatorët
- Sekretari i përgjithshëm
- Senati Studentor
Neni 10
Kryesia
Kryesia e KSAU përbehet nga Kryetari, Zv/Kryetari dhe Koordinatorët.
Anëtar i Kryesisë pa të drejtë vote, është gjithashtu dhe Sekretari i Përgjithshëm, i cili mban procesverbalet e mbledhjeve.
Mbledhjet e Kryesisë organizohen nga Sekretari i Përgjithshëm me porosi të Kryetarit. Ato mund të thirren dhe me kërkesë të anëtarëve të tjerë e Kryesisë për çështje të ndryshme, të nxjerra si problematikë për t’u diskutuar.
Neni 11
Kryetari
Kryetari zgjidhet nga mbledhja e KSAU, mbështetur në cilësitë dhe atributet e veçanta individuale të studentit. (Mesatarja, aftësitë menaxhuese, prirjet e udhëheqësit, aktivizim në aktivitete brenda strukturës së universitetit, pjesëmarrja dhe përfaqësimi i universitetit në evente të llojeve dhe përmasave të ndryshme jashtë strukturës etj.).
Kryetari ka mandat një vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje dhe ushtron kompetencat e tij deri në zgjedhjen dhe kryetarit të ri.
Kryetari ka këto kompetenca:
- Drejton veprimtarinë e KSAU në bazë të Rregullores;
- Përfaqëson KSAU në marrëdhënie me të tretë;
- Përgatit, thërret dhe drejton mbledhjen e KSAU;
- Kujdeset për interesat e KSAU si dhe i mbron ato;
- Bën deklarime publike për të shprehur qëndrimin zyrtar të KSAU mbi çështje të ndryshme;
- Delegon tërësisht ose pjesërisht kompetencat e tij tek Zv/Kryetari;
- Firmos dhe vulos për hyrjen në fuqi të vendimeve të mbledhjes se KSAU;
- Përgatit projekt programin vjetor të aktiviteteve dhe e paraqet për miratim tek Mbledhja e Kryetarëve;
- Merr në shqyrtim propozimet që bëhen nga institucione dhe organizata të ndryshme me qëllim bashkëpunimi e ndihme të ndërsjellët dhe i paraqet ato para Mbledhjes së Kryetarëve;
- Kujdeset për zbatimin e vendimeve të marra nga mbledhja e KSAU;
- Autorizon persona të ndryshëm të marrin pjesë në mbledhje me të drejtën e fjalës.
Neni 12
Zv/ Kryetari
Zv/ Kryetar i Këshillit Studentor të “Albanian University” mund të jetë çdo student i ”Albanian University”, i cili del i dyti me numrin e votave në konkurrimin si kryetar i KSAU.
Ai ka mandat 1 (një) vjeçar, me të drejtë riemërimi.
Kryetari i KSAU i delegon tërësisht ose pjesërisht kompetencat e tij Zv/Kryetarit.
Neni 13
Koordinatorët e Fakulteteve
Koordinatorët e Fakulteteve janë përfaqësuesit më të lartë të zgjedhur në nivel fakulteti. Ata zgjidhen nga radhët e senatorëve të secilit fakultet me shumicë të thjeshtë votash.
Koordinatorë e Fakulteteve përfaqësojnë fakultetin përkatës në Mbledhjet e Kryesisë dhe mbledhjen e Këshillit Studentor.
Ata paraqesin problematikat dhe shqetësimet e studentëve të fakultetit të tyre gjatë këtyre mbledhjeve.
Neni 14
Sekretari i Përgjithshëm
Sekretari i Përgjithshëm ka mandat 1 (një) vjeçar dhe zgjidhet nga mbledhja e KSAU, me shumicë të thjeshtë, me propozim të Kryetarit.
Mandati i tij mund edhe të përsëritet dy vjet rresht.
Sekretari i Përgjithshëm administron gjithë dokumentacionin origjinal të KSAU, bazën e të dhënave, mban mungesat e anëtarëve të KSAU, mban procesverbalin e mbledhjeve si dhe mban librin e protokollit të KSAU.
Neni 15
Koordinatori i Eventeve
Koordinatori i Eventeve, zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash, nga Këshilli Studentor me propozim të Kryetarit.
Ai ka mandat 1 vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.
Detyrat e tij konsistojnë në organizimin e aktiviteteve të ndryshme të vendosura nga Mbledhjet e Këshillit Studentor.
Ai raporton para Kryetarit për aktivitetet e zhvilluara.
Neni 16
Senati Studentor
Senati Studentor përbëhet nga senatorët e grupeve për secilin program studimi, për secilin vit akademik.
Senatori propozohet nga studentët dhe zgjidhet me shumicë votash nga pjesëtarët e grupit, me votim të hapur.
Në fillim të muajit nëntor ZKMS së bashku me Kryetarin aktual të KSAU, njofton çdo grup mësimor për zgjedhjen e senatorit dhe në mes të muajit nëntor zhvillohen zgjedhjet e Senatit Studentor në çdo grup mësimor.
Neni 17
Mbledhjet e KSAU
- Mbledhja e KSAU bëhet jo më pak se 3 (pesë) herë në vit.
- Mbledhjet janë të vlefshme kur në to janë njoftuar të gjithë anëtarët dhe janë të pranishëm mbi 2/3 e tyre.
- Mbledhja KSAU drejtohet nga kryetari, i cili e përgatit dhe thërret atë.
- Mbledhja KSAU mbahet edhe me kërkesën e kryesisë së Këshillit Studentor.
Përveç rasteve që Rregullorja parashikon ndryshe, vendimet e mbledhjes se KSAU merren me shumicën e thjeshte të votave të të pranishmëve në mbledhje.
Në rast se votat janë të barabarta vota e kryetarit të KSAU konsiderohet vendimtare në marrjen e vendimeve, atëherë kur ai ka të drejtën e votës. Në të kundërt votimi përsëritet.
Vendimet e mbledhjes se KSAU hyjnë në fuqi menjëherë pasi firmosen dhe vulosen nga kryetari dhe ZKMS të “Albanian University”.
Mbledhja e KSAU ka këto kompetenca:
- Vendos për krijimin e marrëdhënieve me klubet studentore me synim bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellët.
- Shqyrton raportet që i paraqiten nga Koordinatorët e Fakulteteve.
- Vendos për draftin final të Rregullores të KSAU, qe firmoset dhe miratohet nga kryetari dhe Senati Akademik i “Albanian University”;
- Diskuton çdo gjë të jashtëzakonshme që vihet në rendin e ditës të mbledhjes dhe merr vendime rreth saj.
Neni 18
Largimi nga detyra
Çdo funksionar i KSAU largohet nga detyra kur:
- humbet statusin si student i “Albanian University” nga diplomimi, masat disiplinore dhe largimi;
- jep dorëheqjen nga funksioni për shkak të arsyeve personale;
- nuk janë të aftë për të kryer detyrat e përcaktuara nga kjo Rregullore;
- për shkelje të dispozitave të Rregullores ose ligjin me qëllim.
Në rastin e të pasurit një vend të lirë në këshill, anëtari që jep dorëheqjen/emërohet në pozicion tjetër në KSAU, do të zëvendësohet nga një kandidat i parë nga lista zgjedhore e mëparshme.
Neni 19
Shkarkimet
- Shkarkimi i Kryetarit të KSAU bëhet nga mbledhja e KSAU me shumicë absolute votash.
Shkarkimet e Sekretarit të Përgjithshëm, Zv/Kryetarin, Koordinatorëve të Fakulteteve, Koordinatorit të Eventeve bëhen me shumicë votash nga Kryesia.
- Kushdo që shkel normat e kësaj Rregulloreje duhet të largohet menjëherë nga detyra me vendim të organit që e ka emëruar në atë detyrë.
Neni 20
Organet drejtuese të Këshillave Studentorë të Fakulteteve
Organet drejtuese të Këshillave Studentorë të Fakulteteve të “Albanian University” janë:
- Mbledhja e Koordinatorëve – organi më i lartë vendimmarrës. Anëtarë të mbledhjes së Senatorëve janë senatorët e zgjedhur drejtpërdrejt nga trupa zgjedhore sipas përcaktimeve në Rregulloren e Zgjedhjeve, pjese e këshillit studentor, që mblidhet nga kryetaret
- Organe të tjera mund të krijohen me vendim të Mbledhjes së Këshillit dhe autoriteteve drejtuese te “Albanian University”.
Neni 21
Zgjedhjet dhe procedurat e zgjedhjeve
Zgjedhjet për Këshillin Studentor të “Albanian University”, procedurat dhe modalitetet e mbajtjes së tyre përcaktohen në këtë rregullore si më poshtë vijon:
- Të gjithë senatorët e “Albanian University” kanë të drejtë vote në zgjedhjet për anëtarët e KSAU.
- Të gjithë studentët e “Albanian University”, të cilët nuk janë nën masa të veçanta akademike (me kusht, pezullimi) në kohën e zgjedhjeve kanë të drejtë për të konkurruar për Senatin Studentor të KSAU.
- Të gjithë studentët e “Albanian University” të cilët gjatë viteve akademike para zgjedhjeve kanë një mesatare 8 dhe nuk janë nën masa të veçanta akademike (me kusht, pezullimi) në kohën e zgjedhjeve kanë të drejtë për të konkurruar për Kryesinë e KSAU.
- Të gjithë studentët janë të garantuar në mënyrë që të bëjnë zgjedhjen e tyre dhe të zhvillohen zgjedhje të lira e të rregullta mes kandidateve për KSAU.
Neni 22
- KSAU do të ketë përfaqësues nga të gjitha vitet e studimit në “Albanian University”.
- Zgjedhjet e rregullta të KSAU do të zhvillohen në muajt Nëntor-Janar të çdo viti.
- Zgjedhjet e rregullta të KSAU do të shpallen nga ZKMS e “Albanian University” së paku një muaj para se pritet të fillojë votimi.
- Zgjedhjet e posaçme për plotësimin e vendeve te lira, shpallen po ashtu nga ZKMS.
Neni 23
Baza Materiale dhe administrimi i saj
Baza materiale përbëhet nga Vula dhe materialet e tjera të KSAU si: procesverbalet e mbledhjeve, vendimet e KSAU/Kryetarit, Raportet e Koordinatorëve të Fakulteteve, Raportet e Kryetarit, etj..
Baza materiale ruhet dhe administrohet nga Sekretari i Përgjithshëm i KSAU nën kujdesin e Kryetarit.
KREU III
KODI ETIK PËR ANËTARËT E KSAU
Neni 24
- Anëtarët e Këshillit të Studentëve duhet të punojnë për të mirën e përgjithshme të komunitetit të studentëve të “Albanian University”. Anëtarët e Këshillit të Studentëve nuk duhet të përdorin postet e tyre për arritjen e përfitim personal material.
- Anëtarët e Këshillit të Studentëve nuk duhet të përdorin postet e tyre për marrjen e ndonjë privilegj të veçantë në ose jashtë “Albanian University”.
Neni 25
Anëtarët e Këshillit të Studentëve duhet të nxisin praktika të mira demokratike, tolerance dhe kulture të dialogut.
Anëtarët e Këshillit të Studentëve duhet të kundërshtojnë hapur dhe të reagojnë ndaj çdo forme të ngacmimit apo diskriminimit nga komuniteti i “Albanian University”.
Neni 26
- Përfaqësuesit e zgjedhur si anëtarë të Këshillit Studentor të “Albanian University”, paraqesin publikisht qëndrimet e tyre personale të cilat mund të jenë të ndërthurura edhe me qëndrimet zyrtare të “Albanian University”, për këtë arsye, gjatë mandatit të tyre në Këshillin Studentor, anëtarët duhet të:
- Ndjekin politikat e ndershme akademike të “Albanian University”;
- Zbatojnë ligjet dhe rregulloret e Republikës së Shqipërisë.
Neni 27
Çdo shkelje e Kodit të Etikës mund të raportohet nga ndonjë student, fakultet apo anëtar i stafit te Këshillit Studentor.
KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 28
Kjo Rregullore mund të ndryshohet me propozim të 1 (një) prej anëtarëve të Mbledhjes së Kryetarëve me shumicë absolute. Ndryshimi i paraqitet për miratim Senatit Akademik të “Albanian University”.
Nëse Senati e gjen jo të ligjshëm ndryshimin nuk e miraton atë.
Neni 29
Kjo Rregullore hartohet në 3 kopje origjinale, nga të cilat një kopje i kalon Senatit Akademik të “Albanian University”, një kopje Kryetarit të KSAU dhe Koordinatorëve të Fakulteteve, si dhe një kopje depozitohet në Arkivën e “Albanian University”.
Neni 30
Kjo Rregullore hyn në fuqi me miratimin e Senatit Akademik të “Albanian University” dhe KSAU.
Miratuar me Vendim të Senatit Akademik Nr. 6, Dt. 09.03.2022
Miratuar me Vendim të KSAU Nr. 1, Dt. 07.03.2022
Kryetari i Senatit Akademik
Prof. Dr. Pavllo Kongo
Kryetari i KSAU
Erda Gjishti
