Programi Bachelor në “Infermieri”

Pika kryesore e programit

Kohëzgjatja

3 Years

Fakulteti

Shkencave Mjekësore

Departamenti

Infermierisë dhe Fizioterapisë

Diploma

Bachelor

Rreth programit

Programi i studimit Bachelor në “Infermieri”, në Albanian University është hapur me Urdhër Nr. 411, datë 25.08.2011 dhe akredituar për herë të parë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me Urdhër Nr.239, dt. 09.05.2016, riakredituar me Vendim Bordi Akreditimi nr.186, datë 13.12.2024.

Kurrikula që përbën këtë program studimi ka një kohëzgjatje të rregullt tre vjeçare dhe ka në total 180 kredite. Kurrikula është ideuar që të pajisë studentët në vitin e parë të studimit me njohuritë të lëndëve bazë të çdo fushe të mjekësisë siç janë: anatomia, fiziologjia, biokimia, etj. Krahas këtyre lëndëve të formimit bazë, studentët kanë mundësi të përvetësojnë njohuri të lëndëve integruese, siç janë: statistika, informatika dhe gjuha e huaj, njohuri këto, të cilat do të kompletojnë dijet e studentit në ushtrimin e profesionit. Gjatë vitit të dytë dhe të tretë studentët do të pajisen me njohuri specifike dhe praktike, të cilat do të plotësojnë formimin profesional të infermierit të përgjithshëm.

Po në vitin e dytë dhe të tretë studentët pajisen me njohuri praktike në kushte klase dhe me pas pranë pacienteve. Studentët e kryejnë praktikën mësimore në disa institucione shëndetësore spitalore dhe ambulatore të cilat kanë marrëveshje specifike me Fakultetin e Shkencave Mjekësore.

Ky program synon të përgatisë studentë të cilët të kenë përvetësuar njohuritë bazë dhe të nevojshme për të zotëruar kapacitetet që duhet të përbëjnë një infermier të përgjithshëm. Këto njohuri do t’i shërbejnë studentëve që të forcojnë më tepër sensin praktik të punës. Studentët në fund të programit do të jenë të aftë të ndërmarrin studime të mëtejshme të avancuara në fusha të specializuara të vlefshme për specifikën shqiptare dhe profesionistët e kësaj fushe në Shqipëri.

Mundësi Punësimi: I diplomuari në programin Bachelor në “Infermieri” mund të punojë në Sistemin Shëndetësor publik dhe atë privat të Republikës së Shqipërisë që përfshin : • Sistemin Shëndetësor Parësor (Qendra shëndetësore, Klinika mjekësore private) • Sistemi Shëndetësor Sekondar (Poliklinika specialitetesh) • Sistemi Shëndetësor Tercial (Spitalet Rajonale, Qendra Spitalore Universitare, Spitalet private dhe ISHP) Mund të punësohen edhe brenda dhe jashtë vendit mbi bazën e marrëveshjeve të bashkëpunimit.