Ekspozitë studentore 1 – Një udhëtim drejt kreativitetit bashkëkohor.

Departamenti i Art Dizajnit prezanton “Ekspozitën studentore 1”, një aktivitet që sjell në vemendje krijimtarinë dhe zhillimin artistik të studentëve në semestrin e parë të vitit akademik 2025-2026, në Albanian University.

Kjo ekspozitë përmbledh një gamë të gjerë disiplinash duke përfshirë vizatimin, kaligrafinë, Ilustrimin, Art 2D, tekstil dizajnin, web dizajnin, artin grafik të botimeve dhe dizajnin antropologjik.

Ekspozita u nderua me praninë e Rektorit të Albanian University Prof. Julian Fink, fjala frymëzuese e të cilit vlerësoi krijimtarinë dhe përkushtimin e studentëve. Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Dekanes së Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe Ekonomike Prof. Valbona Ribaj dhe Shefit të Departamentit të Art Dizajn Dr. Arjan Zurbo, të cilët falenderuan të pranishmit dhe çelën ekspozitën me një prezantim të punimeve dhe krijimeve të studentëve.

Ekspozita është ndërtuar si një rrëfim vizual, ku disiplinat komunikojnë me njëra-tjetrën, duke krijuar një përvojë të gjallë dhe dinamike për vizitorët. Larmia e stileve – nga ato floreale dhe gjeometrike, “magjia” e majës së lapsit përmes studimit të formave 3D të objekteve të kompozuara në natyra të qeta dhe në përdorimin e teknikës së akuarelit deri tek qasja moderne dhe popullore e dizajnit tekstil – e bën këtë event një mozaik të pasur estetik.

“Ekspozitën studentore 1” nuk është vetëm një prezantim i punëve studentore, por edhe hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejshëm artistik dhe profesional. Kjo ekspozitë është porta e hapur për vazhdimin e kësaj natyre ekspozitash në AUGA, ART Dizajn dhe në iniciativa të ardhshme në fushën e artit dhe dizajnit.