Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Albanian University dhe Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, Ministrisë së Drejtësisë, në mjediset e Albanian University (salla e bibliotekës), më datë 31.03.2026, ora 12:00, do të zhvillohet trajnimi i dytë mbi ndihmën juridike falas në Republikën e Shqipërisë.
Ky trajnim synon të ofrojë një pasqyrë të plotë mbi ndihmën juridike falas, duke përfshirë rolin dhe funksionet e institucioneve përgjegjëse, si dhe mekanizmat për garantimin e aksesit në drejtësi për qytetarët në nevojë. Përmes këtij aktiviteti, studentët do të kenë mundësinë të njihen më nga afër me konceptet e ndihmës juridike parësore dhe dytësore, procedurat për përfitimin e saj, si dhe rolin e klinikave ligjore dhe profesionistëve të drejtësisë në ofrimin e këtyre shërbimeve.
Ky trajnim përfaqëson një mundësi të rëndësishme për zhvillimin profesional të studentëve dhe për forcimin e lidhjes ndërmjet teorisë dhe praktikës në fushën e së drejtës, duke kontribuar në formimin e juristëve të ardhshëm me ndjeshmëri sociale dhe përgjegjësi qytetare.
Të gjithë pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë.


