Departamenti i Stomatologjisë

Përgjegjëse e Departamentit:   Dr. Shk. Med. Elona KONGO

Departamenti i Stomatologjisë ka nisur funksionin në shtator 2004 si Departamenti i parë i Albanian University me një program bashkëkohor bazuar në modelet më të mira amerikane.

Ky Departament është pjesë përbërëse e Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Albanian University. Departamenti strukturohet mbi bazë katedrash, që janë:

  • Katedra e terapisë me degët: Dentistri operative, Paraklinike-klinike, Endodonti paraklinike-klinike, Dentistri estetike, me Drejtues Prof. Dr. Pavli Kongo;
  • Katedra e dentistrisë pediatrike me degët: Dentistri pediatrike, Profilaksi, Nutricion, me Drejtues katedre Dr. Eno Gaçe;
  • Katedra e protëtikës me degët: Morfologji dentare, Njohuri materiale, Protetikë paraklinike, Protetikë e lëvizshme parciale, Protetikë totale, Protetikë fikse, Ortodonti paraklinike-klinike, me Drejtues Dr. Sidrit Beqiraj;
  • Katedra e kirurgjisë orale dhe OMF me degët: Anestezi, Kirurgji orale, Kirurgji OMF dhe Radiografia me Drejtues katedre Dr.Shk.Med,Erda Qorri;
  • Katedra e periodontologjisë me degët: Periodontologji paraklinike-klinike, Diagnozë orale, Patologji omf, Implantologji, Mjekësi orale, me drejtues katedre Dr. Ilma Robo. Nënkuptohet që pranë çdo katedre dhe lënde aktivizohet numri i nevojshëm i pedagogëve, asistent pedagogëve dhe ordinatorëve.

Përgatitja pesëvjeçare e kuadrit realizohet nga një numër i konsiderueshëm profesorësh, doktorësh të shkencave dhe Masterash të përfituara në shumë vende të botës, perëndimore dhe lindore, pa lënë pas dore kuadrot e formuara në vend.

Formimi 5 vjeçar shoqërohet jo vetëm me formim të mirë paraklinik 2 vjeçar në kushte moderne, por edhe me formimin e tre viteve të mëpasshme teoriko-praktike direkt në pacient, duke i dhënë kështu specifikë tejet të admirueshme çdo kandidati e njëkohësisht e bën të aftë që të zotërojë dhe aplikojë në praktikë, njohuritë e përfituara. Mbështetur mbi sa themi, deri më sot nuk janë të paktë studentët që punojnë ose kanë arritur të përfitojnë të drejtën e një formimi akademik të mëtejshëm në shumë shtete të huaja.

Departamenti i Stomatologjisë si pjesë përbërëse e Fakultetit të Shkencave Mjekësore, mbështetët mbi një program studimor me kohëzgjatje 5 vjeçare. Ky program përbën një origjinalitet të dukshëm, si në formë dhe përmbajtje, dhe diferencohet ndjeshëm nga programet e tjera stomatologjike që zhvillohen në vendin tonë. Fokusi primar i këtij programi është formimi teoriko-praktik modern i studentëve, bazuar kryesisht në modelin e Universitetit TUFT-s Boston, të mbështetura totalisht në literaturën amerikane të këtij universitëti.

Ky program mundëson përgatitjen e studentit sipas standardeve të njohura ndërkombëtare dhe synon të realizojë një qenie të aftë që të krijojë, meditojë, kërkojë dhe të zhvillohet me bagazhin teoriko-praktik që i ofrohet, për të krijuar bindje moderne dhe të qëndrueshme mjekësore. Mjeku stomatolog i formuar mbi këto kritere, do të jetë i aftë t’i bëjë ballë kërkesave gjithmonë në rritje dhe standardeve në BE, do t’i japë atij mundësinë të integrohet lehtësisht, ose të punojë si profesionist i lirë në klinika stomatologjike, në institucione publike në sektorë promovues dhe prodhues të pajisjeve stomatologjike, në qendra spitalore të çdo niveli, në qendra kërkimore të profilit akademik, ose në hapësira të ndryshme akademike, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Një veçori tjetër e këtij Fakulteti është impenjimi i dukshëm në sferën e jetës shkencore, i cili konkretizohet me konferenca vjetore të mjekëve dhe të studentëve, ku prezantohen hulumtime shkencore-profesionale të realizuara brenda vendit tonë, ose në vendbanimet e mjekëve apo studentëve. Konferencat shkencore të mjekëve tanë mbulohen mbi 95% nga punime origjinale, si dhe nga punime me Fakultete dhe pedagogë  vendi dhe të huaj të tjerë në çështjet kërkimore. Larmia e pedagogëve dhe e formimit të tyre reflektohet dukshëm në formimin e stomatologëve të rinj.

Është një veçori e admirueshme për këtë Fakultet, miratimi i 8-të specializimeve nga MAS, të cilat zhvillohen këtu me afat kohor 3-4 vjeçar, të drejtuara nga pedagog të institucioneve prestigjioze italiane La Sapienza, tashmё prej 4 vitesh.