Departamenti i Shkencave Politiko-Administrative

Përgjegjës Departamenti:  Dr. Doriana Pano

Departamenti i Shkencave Politiko-Administrative është pjesë përbërëse e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, në Albanian University. Programet e studimit në Departamentin e Shkencave Politiko-Administrative, në Albanian University, në themel të tyre kanë formimin dhe përgatitjen e politologëve me profil të përgjithshëm dhe ekspertëve në fushën e administratës publike, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe çështjeve të sigurisë, duke synuar në radhë të parë përgatitjen e specialistëve të aftë në këto fusha studimore, por edhe krijimin e konsolidimin e një tradite të re në ambientin politik shqiptar.

Vlen për tu theksuar se qëllimi i kësaj kurrikule është t’u ofrojë studentëve njohuri të formimit bazë, të nevojshëm për të ndjekur ciklet e tjera të njëpasnjëshme të studimit dhe në të njëjtën kohë tu përgjigjet kërkesave më të cilat do të përballen studentët gjatë realizimit të tyre profesional.

Objektivat formuese përcaktuese, të përgjithëshme apo specifike, në programin e studimit Shkenca Politiko-Administrative, mbajnë parasysh kërkesat për nivele cilësore bashkëkohore dhe hartohen në bashkëpunim me përfaqësues të tregut të punës dhe profesioneve në nivel kombëtar, të krijojë një mjedis intelektual ku mësohet, debatohet dhe lindin ide të reja për zhvillim. Një vend të veçantë zë dhe krijimi i një shoqërie me interesa dhe prejardhje të ndryshme, sepse ne besojmë se diversiteti e bën procesin e mësimit më të pasur dhe i ndihmon studentët që t’i formulojnë idetë e tyre më mirë në perspektivë.

Qëllimi dhe objektivat e mësimdhënies kanë konsistuar në forcimin e departamentit si një institucion jo vetëm mësimor, por dhe shkencor për të formuar specialistë dhe studjues me profil të përgjithshëm për të kontribuar në sistemin politik shqiptar, në administratën publike, integrimin euro-atlantik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, duke kultivuar aftësitë në këtë fushë studimore, por edhe krijimin e një konsolidimi të një tradite të re në ambientin politik shqiptar, nën raportin e standarteve dhe rregullave të testimit empirik të profilit që ata kanë. Nisur nga këto synime është përpiluar një plan mësimor ekstrakurikular. Përveç kësaj kjo kurrikul ofron lëndë të vlefshme për formimin e një politologu dhe ekspertit të administratës, për të qenë të aftë të integrohen në dikastere ose institucione me karakter specifik të fushave përkatëse.

Departamenti i Shkencave Politiko-Administrative, është një organizim strukturor, i  cili funksionon mbi bazë rregullash unike për universitetin në tërësi. Departamenti kryesohet nga përgjegjësi dhe asistohet nga pedagogë, ku vlen për tu theksuar puna e të gjithë stafit administrativ dhe akademik lidhur me mbarëvajtjen e të gjithë punës në departament.

Organizimi i veprimtarisë së departamentit, konsiston në drejtimin dhe zbatimin me efikasitet të objektivave të programit mësimor dhe të programeve ekstrakurikulare ku një vend të rëndësishëm zë kërkimi shkencor.

Praktikat në institucionet publike e kërkimore e parashikuar si pjesë përbërëse e programit mësimor-formues për studentët e vitit të III të Departamentit të Shkencave Politiko-Administrative, synojnë njohjen dhe familjarizimin e studentëve me proçesin praktik politik. Si pjesëmarrës në praktikën politike, synohet që të zhvillohen shkathtësitë e studentëve për të vendosur lidhjen nëpërmjet instrumentave njohëse që marrin gjatë procesit mësimor dhe politikës në veprim. Gjatë praktikës studenti do të ndjekë të gjithë atë që quhet cikël politik duke përfshirë hyrjet (“inputs”), kthimin e kërkesave dhe vendimeve, daljet(“outputs”), reagimin ndaj daljeve e deri tek reagimi i institucionit ndaj aktorëve të tjerë politikë ose shoqëror.

 Programi i studimit Master i Shkencave në “Administrim Publik, Politika Publike dhe Qeverisje”

 Programi studimor Master i Shkencave në Administrim Publik (dy profile) ju adresohet të diplomuarve të Arsimit të Lartë të profilit përkatës të interesuar të thellojnë njohjen shkencore dhe formimin profesional në administrim publik, politika publike, sisteme qeverisëse, politika dhe menaxhim sektorial, qeverisje vendore, zhvillim institucional, integrim europian etj. Për t’ju përgjigjur kërkesave të kohës dhe eleminuar përgatitjen e specialistëve me kompetencë të kufizuar, programi ynë shtrin hapsirën e specializimit, tejkalon kufijtë tradicionalë midis shkencave duke ofruar një trajtim ndërdisiplinor dhe multishkencor: Shkenca Politike, Shkenca Administrative, Shkenca Juridike, Shkenca Ekonomike, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Sociologji, Antropologji, Shkenca Komunikimi etj.

Programi i studimit Master i Shkencave në “Marrëdhënie Ndërkombëtare, Gjeopolitika dhe Marrëdhënie Rajonale”

 Programi Master i Shkencave në “Marrëdhënie Ndërkombëtare” (dy profile) iu adresohet të diplomuarve të ciklit tё parё tё studimit tё Arsimit të Lartë të interesuar të thellojnë aftësitë akademike dhe profesionale në “Studime Evropiane” dhe “Gjeopolitikë dhe Marrëdhënie Rajonale”. Për t’ju përgjigjur kërkesave të kohës programi ynë shtrin hapësirën e specializimit, tejkalon kufijtë tradicionalë midis shkencave duke ofruar një trajtim ndërdisiplinor dhe multishkencor: Metodologji Kërkimi per Shkencat Sociale (Logjik dhe Teori Argumentimi dhe/ose Metoda Sasiore), Shkenca Juridike, Ekonomi, Histori-Gjeografi, Teori Politike, Teori Lojrash për Shkencat Sociale.

Programi i studimit Master Profesional në “Qeverisje dhe Administrim Publik”

Programi Master Profesional në “Qeverisje dhe administrim publik”. Departamenti ynë, për zgjerimin e mundësive të pranimit, është nisur nga konstatimi paraprak se ky program studimi mund të tërheqë një spektër të gjerë kandidatësh, të cilët, pavarësisht nga lloji i diplomimit në arsimin e lartë, kanë pasur përvoja punësimi në nivele të ndryshme të administratës publike, në sektorin privat, apo atë të organizatave jofitimprurëse. Në përgjigje të interesimit të këtyre individëve, në funksion të rritjes së mëtejshme të nivelit të tyre të kualifikimit dhe shtimit të shanseve e premisave për një karrierë potenciale të suksesshme në administratën publike, nëpërmjet këtij masteri, institucioni ynë ofron njohuri të avancuara bashkëkohore në planin teorik, duke theksuar njëkohësisht aspektet praktike të zbatimit të tyre në realitetin shqiptar.

Programi i studimit Master Profesional në “Marrëdhënie Ndërkombëtare, Politikë e Jashtme dhe Diplomaci”

 Departamenti ynë, në zgjerimin e mundësive të pranimit, është nisur nga konstatimi paraprak se programi i studimit master në “Marrëdhënie ndërkombëtare, Politikë e Jashtme dhe Diplomaci” mund të tërheqë nje spektër të gjerë kandidatësh, të cilët pavarësisht nga lloji i diplomimit në arsimin e lartë, kanë interesa të përfshihen në një të ardhme në fushën e diplomacisë dhe të politikës së jashtme. Në përgjigje të interesimit të këtyre individëve, në funksion të rritjes së mëtejshme të nivelit të tyre të kualifikimit dhe shtimit të shanseve e premisave për një karrierë potenciale të suksesshme në diplomaci, institucioni ynë ofron nëpërmjet këtij masteri njohuri të avancuara bashkëkohore në planin teorik, duke theksuar njëkohësisht aspektet praktike të zbatimit të tyre.

Programi i studimit Master Profesional në “Studime për Sigurinë”

Programi Master profesional në “Studime për sigurinë” u adresohet të diplomuarve të arsimit të lartë, të interesuar të thellojnë formimin profesional në fushën e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, në degët e shkencave shoqërore, por edhe në ato ekzakte. Arsimimi i këtyre kandidatëve mundëson kualifikime, menaxhim dhe ekspertizë nga fusha e sigurisë kombëtare. Në këtë program ‘master’, sipas përvojës më të mirë të programeve simotra të studimit, afrohen të diplomuar nga fusha të ndyshme, ekspertiza e të cilëve rezulton e nevojshme dhe në dobi të institucioneve kryesore të sigurisë dhe për realizimin sa më të mirë të saj. Synimi themelor i masterit profesional në “Studime për Sigurinë” mbetet ofrimi i një produkti edukimi cilësor, profesional, të përballueshëm financiarisht nga të gjitha shtresat sociale, me fleksibilitet kohor, që u adresohet dhe një mase të gjerë të të diplomuarve të arsimit të lartë që punojnë ose dëshirojnë të kontribuojnë në sferën e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Programi i studimit Master i Shkencave në “Marrëdhënie me Publikun dhe Marketing”

Programi i studimit Master i Shkencave të Komunikimit përfaqëson një mekanizëm akademik të argumentuar, të profilizuar dhe të detajuar për formimin e studentëve me kapacitetete të spikatura në  fushën e komunikimit masiv dhe të mediave në planin praktik, po ashtu dhe në atë hulumtes e kërkimor, në përgjigje dhe në raportin e duhur me kërkesat bashkëkohore dhe sfidat me të cilat përballet kjo disiplinë në vendin tonë, po ashtu edhe në raport me standardet e duhura dhe operative ndërkombëtare.

Programi master i shkencave me profilet: “Marrëdhënie me publikun dhe marketing”, “Drejtim dhe menaxhim i mediave” dhe “Gazetari ndërkombëtare”, synon të krijojë mundësitë e integrimit praktik dhe teorik të studentëve në industrinë sociale dhe organizative të shkencave të komunikimit, si dhe të komunkimit masiv, përmes operimit nëpërmjet informacionit në nivel akademik.