Departamenti i Shkencave Juridike

Drejtues: Dr. Ismail Tafani

Departamenti i Shkencave Juridike, është pjesë e Fakultetit të Shkencave Shoqërore pranë “Albanian University” dhe funksionon si njësi bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore, duke përfshirë fusha kërkimi homogjene dhe duke grupuar disiplinat mësimore respektive. Departamenti nxit, bashkërendon dhe administron veprimtarinë e mësimdhënies, dhe atë kërkimore-shkencore në programet e studimit që ofron.

Ndjek misionin dhe objektivat kryesorë të arsimit të lartë me qëllim: krijimin, transmetimin dhe mbrojtjen e dijeve me anë të mësimdhënies e kërkimit shkencor; formimin e specialistëve të lartë dhe përgatitjen e shkencëtarëve të rinj në përputhje me prioritetet e zhvillimit të shoqërisë: si dhe kontribuimin në rritjen e standardeve të demokracisë në shoqëri. Ai organizohet dhe funksionon në përputhje me legjislacionin për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, Statutit dhe Rregulloreve të institucionit.

Programi i studimeve në “Shkenca juridike” është hartuar dhe zbatohet duke synuar të japë njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi specifike në fushën e shkencave juridike. Ai ka si objektiv të saj themelor formimin e njohurive bazë në fushën e të drejtës. Pas përfundimit të studimeve, studenti do të jetë i aftë për të analizuar fakte juridike, koncepte, kuadrin ligjor në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar apo politika publike, si dhe do të jetë i pregatitur për t’u përshtatur më mirë dhe më shpejt me pozicionet bazë të tregut të punës.

Ky program përfshin 180 kredite dhe kohëzgjatja normale është tre vite, duke krijuar konditat e nevojshme për ndjekjen e studimeve në ciklet e njëpasnjëshme (Master i shkencave ose Master profesional), por mbi të gjitha për organizimin logjik të njohurive të marra në secilin prej cikleve studimore.

Programi i studimit Master i Shkencave në “Shkenca Juridike”

Programi studimor Masterit i Shkencave në “Shkenca Juridike” ka për qëllim thellimin e njohurive teorike për përgatitjen e specialistëve në një prej pesë profileve të mëposhtme:

  •    E drejtë private (specializuar në shoqëritë tregtare);
  •    E drejtë publike dhe administrative;
  •    Marrëdhënie ndërkombëtare;
  •    E drejtë ndërkombëtare dhe e BE-së;
  •    E drejtë penale.

Veprimtaritë formuese, teorike dhe praktike të ofruara sigurojnë specializim të njohurive të studentit, krahasuar me ato të marra në programet e studimit të ciklit të parë. Ndjekja e programit të studimit Master i Shkencave në “Shkenca Juridike” dhe përfitimi i diplomës në këtë fushë, u jep mundësi studentëve gjithashtu të vazhdojnë në ciklin e tretë të studimeve, atyre doktorale, si dhe për t`u pranuar në provimet e shtetit apo shkolla të mëpasme specializuese afatgjata, për profesione ligjore dhe përfitimin e titullit përkatës.

Programi i studimit Master Profesional në “Shkenca Penale”

Programi i studimit Master profesional në “Shkenca Penale”, i ofruar nga “Albanian University”, është një program studimi i ciklit të dytë, që përfshin fushën juridiko-penale dhe ka për qëllim arsimimin dhe trajnimin profesional të studentëve me formim njohurish specifike, të specifikuara për zhvillimet dhe përmirësimin e legjislacionit. Ky program studimi përgatit specialistë të aftë për të organizuar, planifikuar dhe drejtuar veprime proceduriale që duhet të kryhen nga subjektet e procedimit penal gjatë veprimtarisë hetimore, gjyqësore dhe në ekzekutimin e vendimeve, lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në luftën kundër krimit, si dhe dhënien e drejtësisë në fushën e së drejtës penale. Studentët që do të mbarojnë programin e studimit Master profesional në “Shkenca Penale” do të kenë mundësi të punësohen apo të vijojnë karrierën e tyre profesionale në një sërë sektorësh apo organesh që lidhen me aplikimin e së drejtës penale. Ky program është i përshtatshëm për ata që duan të punojnë në fushën e avokatisë, si juristë pranë institucioneve të pavaruara, studiove ligjore apo pedagog në universitet. Studentët mund të punësohen apo të përmirësojnë kurrikulumin e tyre në struktura të tilla si shoqatat joqeveritare, që merren me mbrojtjen e grave apo mbrojtjen e të miturve, si dhe ato që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut apo edhe të të burgosurve në veçanti.

Programi i  studimit Master Profesional në “E Drejtë Private”

Programi i studimit Master profesional në “E drejtë private” është një program studimi i ciklit të dytë. Veprimtaritë mësimore parashikojnë një spektër të gjerë disiplinash formuese bazë, karakterizuese dhe të ngjashme ose integruese, të cilat zhvillohen nëpërmjet leksioneve  në auditor, praktikës mësimore, leksioneve të hapura në auditor.

Programi kombinon formimin akademik me përvojën praktike dhe realizohet në bashkëpunim me gjykata të niveleve të ndryshme të sistemit të drejtësisë dhe me zyra ligjore prestigjoze, vendase dhe të huaja, pranë të cilave do të zhvillohen stazhi dhe praktika profesionale.

Për të dyja programet e studimit synojnë formimin e një figurë profesionale, e cila:

  • zotëron jo vetëm njohuri bazë, që mundëson vlerësimin e instituteve të së drejtës private dhe penale, edhe sipas perspektivës evolutive historike;
  • ideon dhe harton me efikasitet dhe saktësi, tekste me përmbajtje juridike në përputhje me kontekstet përkatëse, të mirargumentuara, edhe nëpërmjet përdorimit të mjeteve informatike;
  • të përfitojë aftësi interpretuese, analitike dhe me kualifikim juridik, në trajtimin e problemeve interpretuese dhe zbatuese të së drejtës private/ penale;
  • të zotërojë metodologjinë dhe instrumentet e nevojshme për artikulimin me shkrim dhe me gojë të arsyetimeve juridike private, për të cilat kërkohet kompetencë profesionale në studimin e marrëdhënieve juridike të pronësisë në të gjitha llojet e saj, të mënyrave të fitimit të pronësisë, të mbrojtjes së saj;
  • të zotërojë aftësi në zbatimin e njohurive të fituara në praktikë, në të gjitha çështjet e pronësisë, trashëgimisë, proçedurës civile dhe penale, hetimit penal etj.

Studentët që do të përfundojnë këto programe studimi do të kenë mundësi të punësohen apo të vijojnë karrierën e tyre profesionale në një sërë sektorësh apo organesh që lidhen me aplikimin e të drejtës private e penale. Këto programe iu ofrojnë mundësi studentëve të cilët duan të punojnë në fushën e avokatisë, si juristë pranë bizneseve, në ndërmarrje, banka, shoqëri sigurimesh dhe konsulentë ligjorë pranë autoriteteve të pavarura si dhe  personel drejtues në administratën publike apo pë rata që aspirojnë të jenë pjesë  e stafit akademik në universitete.