Departamenti i Psikologjisë së Përgjithshme

Drejtues: Dr. Elisabeta KAFIA

Departamenti i Psikologjisë së Përgjithshme është pjesë e Fakultetit të Shkencave Shoqërore në Albanian University. Ky Departament i ka fillesat e tij në vitin 2006, kur edhe ka pritur brezin e parë të studentëve.

Departamenti i Psikologjisë së Përgjithshme ka si mision kryesor përgatitjen e profesionistëve të aftë si nga pikëpamja teorike ashtu edhe praktike në drejtim të çështjeve të psikologjisë dhe lidhjes së këtyre çështjeve me mirëqenien psiko-sociale të individit dhe komunitetit. Gjithashtu ky departament ka si mision të tijin edukimin e komuniteteve me nevoja të veçanta, si dhe ofrimin e modeleve bashkëkohore për të nxitur dhe fuqizuar qytetarët.

Për arritjen e misionit të tij, Departamenti i Psikologjisë së Përgjithshme realizon procesin e mësimdhënies, kërkimin shkencor si dhe ofrimin e shërbimeve komunitare në kuadër të përmbushjes së përgjegjësisë sociale.

Departamenti përbëhet nga Përgjegjësi dhe asistentet e departamentit. Veprimtaria kryesore e kërkimit shkencorë në fushën e psikologjisë ka të bëjë me studimin e sjelljes normale dhe patologjike dhe të funksioneve njohëse.

Veprimtaritë specifike të kërkimit shkencor përfshijnë një varietet të gjerë fushash të psikologjisë si psikologjia klinike, kognitive e punës, e shëndetit sociale, e zhvillimit dhe proceseve edukative. Duke u nisur nga kjo perspektive multidisiplinare, studimi i sjelljes dhe i funksioneve njohëse realizohet përmes perspektivave hulumtuese dhe metodologjive të ndryshme, kjo në varësi të specializimit të stafit akademik dhe kërkuesve shkencorë që janë pjesë e Departamentit të Psikologjisë së Përgjithshme. Përfaqësohet në Këshillin e Fakultetit, në Këshillin e Profesorëve,në Komisionet e Posaçme.

Stafi pedagogjik përbëhet nga 60 pedagogë të angazhuar në të tre ciklet e studimit që ofron Departamenti i Psikologjisë së Përgjithshme. Ata janë të diplomuar në universitete prestigjioze në Shqipëri, Europë dhe ShBA, të kualifikuar në profile të ndyshme në psikologji si dhe me përvoja klinike dhe kërkimore në fushat përkatëse të formimit të tyre.

Programet mësimore të Departamentit të Psikologjisë së Përgjithshme janë mbështetur në modele kornizash kurrikulare të shkollave amerikane dhe europiane të psikologjisë dhe janë hartuar duke njohur këto zhvillime të psikologjisë si shkencë dhe kërkesat e tregut shqiptar të punës së psikologëve.

Programi Bachelor në Psikologji të Përgjithshme përfshin 3 vite studimi, në të cilat përfshihen lëndë të formimit të përgjithshëm, lëndë plotësuese, lëndë me zgjedhje si dhe lëndë bazë të formimit profesional, që studentët do të dëshirojnë të ndjekin në studimet e nivelit të dytë.

Programi i studimit Master i Shkencave në “Këshillim Psikologjik”

Masteri i Shkencave në “Këshillim psikologjik” ofron një trajnim shkencor dhe profesional në këshillimin psikologjik. Ky program, synon të plotësojë nevojat dhe kërkesat në rritje për profesionistë të shëndetit mendor në Shqipëri të kualifikuar në këshillim psikologjik, si dhe nevojat dhe kërkesat për studime të mirëfillta shkencore në fushën e këshillimit psikologjik.

Programi i studimit të ciklit Master i Shkencave në “Këshillim psikologjik” synon të zhvillojë aftësitë e studentëve për të kryer kërkime shkencore në fushën e këshillimit psikologjik, për të kryer këshillim dhe vlerësim psikologjik, aftësi të cilat do t’u mundësojnë atyre të asistojnë individët, çiftet dhe grupet e moshave dhe kategorive të ndryshme të cilët ballafaqohen me çështje të shëndetit mendor.

Sektorët e mundshëm të punësimit me përfundimin e këtij masteri janë:

  •    Institucione të ndryshme kërkimore, të tilla si universitete, agjenci, organizata apo fondacione kërkimi.
  •    Praktikantë të lirë duke siguruar këshillim, terapi, vlerësim dhe konsultim ndaj individëve, familjeve, grupeve dhe organizatave.
  •    Mjediset apo qëndrat që ofrojnë shërbime në përkujdesje të shëndetit mendor të tilla si spitalet psikiatrike, shtëpitë e mbështetura, qëndrat komunitare të shëndetit mendor, institucione dhe organizata jo fitimprurëse të ndryshme me fokus ofrimin mbështetjen, dhe rehabilitimin e individëve (fëmijë, adoleshentë, të rritur, të moshuar) me probleme të shëndetit mendor,
  •    Institucione të sistemit të drejtësisë si spitalet e burgjeve, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, etj.

Programi i studimit Master i Shkencave në “Psikologji Zhvillimi dhe Shkollore”

Programi Master i shkencave në “Psikologji Zhvillimi dhe Shkollore”, synon t’i aftësojë studentët të zbatojnë njohuritë, metodat e teknikat psikologjike në mënyrë etike dhe shkencore dhe t’i përgatisë për praktikën profesionale të pavarur si psikologë të fëmijëve dhe adoleshentëve dhe psikologë shkollorë, si dhe për të ofruar shërbimin e tyre si kërkues shkencorë.

Në ciklin e studimeve Master i Shkencave në Psikologji zhvillimi dhe shkollore, studentët do marrin njohuri më të thelluara teorike në fushat e mëparshme të studimit gjatë ciklit të parë dhe do trajnohen me qëllim që të shkathtësohen në përdorimin e njohurive teknike e praktike që do u mundësojnë praktikimin e profesionit të psikologut të fëmijës dhe adoleshentëve, të psikologut të shkollës dhe të kërkuesit shkencor.

Sektorët e mundshëm të punësimit me përfundimin e këtij masteri janë:

  •    Sistemi edukativ parauniversitar dhe parashkollor publik e privat
  •    Qendra komunitare që ofrojnë shërbime psiko-sociale për fëmijët dhe adoleshentët
  •    Institucione publike e private që hartojnë politika për fëmijët dhe adoleshentët
  •    Institucione kërkimore-shkencore, të tilla si universitete, agjenci, organizata apo fondacione kërkimi
  •    Organizata jo-fitimprurëse
  •    Institucione dhe organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të të miturve, etj.
  •    Spitale dhe klinika publike e private për fëmijë dhe adoleshentë.
  •    Praktikantë të lirë, etj.

Programi i studimit Master i Shkencave në “Psikologji Ligjore”

Masteri i Shkencave në Psikologji Ligjore synon t’i aftësojë studentët të zbatojnë njohuritë, metodat dhe teknikat shkencore psikologjike në mënyrë profesionale dhe etike dhe t’i përgatisë për praktikën profesionale si kërkues shkencorë të pavarur në fushën e psikologjisë ligjore.

Në ciklin e studimeve Master i Shkencave në Psikologji ligjore studentët do të marrin njohuri më të thelluara teorike në fushat e mëparshme të studimit gjatë ciklit të parë dhe do trajnohen me qëllim që të shkathtësohen në përdorimin e njohurive shkencore dhe të teknikave praktike që do u mundësojnë praktikimin e profesionit të psikologut ligjor si kërkues shkencor.

Sektorët e mundshëm të punësimit me përfundimin e këtij masteri janë:

  •    Institucionet e sistemit penitenciar
  •    Insitucionet e riedukimit
  •    Institucionet kërkimore-shkencore
  •    Organizatat jofitimprurëse
  •    Gjykatat e shkallëve të ndryshme civile dhe penale
  •    Institucionet e shërbimit të provës
  •    Institucionet e shërbimeve sociale
  •    Ekspertë të pavarur, këshillues, etj

 Programi i studimit Master i Shkencave në “Psikologji Klinike”

Vitet e fundit zhvillimet në drejtim të metodave të kërkimit shkencor si dhe në strategjitë e përdorura në shëndetin mendor kanë qenë të shumta. Përmes angazhimit të tyre në drejtim të integrimit të shkencës dhe praktikës së aplikuar, psikologët klinikë kanë ndihmuar në ngritjen e standarteve të shëndetit mendor, dhe kanë ulur ndjeshëm koston e përkujdesjes duke zhvilluar ndërhyrje të drejtepërdrejta efikase dhe afat-gjata.

Programi i Masterit Shkencor në Psikologjinë Klinike synon t’iu paraqisë studentëve një vlerësim të pasurisë, domethënies historike si dhe drejtimeve më në zë të zhvillimeve të metodave dhe teknikave për vlerësimin dhe ndërhyrjet klinike. Programi i studimit është mbështetur mbi modelin e sistemeve biopsikologjike të të kuptuarit të sjelljes njerëzore, ky program iu ofron studentëve një shikim të detajuar të detyrave dhe aftësive klinike të cilat janë themelet e punës së psikologut klinik. Studentët do të pajisen me informacion të detajuar lidhur me metodat e kërkimit, çështje të etikës, diversitetit kulturor, vlerësimit, psikoterapisë, dhe në mënyrë më të specifikuar, me aftësi praktike në secilën nga çështjet e mësipërme. Ky program do t’iu vijë në ndihmë studentëve për të kuptuar me thellë praktikën e punës së psikologut klinik. Vendet e ndryshme të punës, metodat bashkëkohore të vlerësimit dhe trajtimit klinik si dhe çështje ligjore dhe etike që rregullojnë profesionin e psikologut klinik do të përshkojnë në tërësi programin e studimit.

Programi i studimit Master Profesional në “Psikologji Shkollore”

 Programi Master Profesional në Psikologjinë Shkollore synon të ofrojë arsim dhe trajnim të mirëfilltë e gjithëpërfshirës profesional për aplikimin e teorive, dijeve, aftësive dhe kompetencave psikologjike në sistemin shkollor.

Programi i studimeve Master Profesional në Psikologjinë Shkollore është ndërtuar në mënyrë që të formojë psikologë shkollorë të cilët të jenë të aftë të ofrojnë shërbimin më të përshtatshëm për komunitetin e shkollës.

Sektorët e mundshëm të punësimit me përfundimin e këtij masteri janë:

  •    Sistemi edukativ parauniversitar dhe parashkollor publik e privat
  •    Qendra komunitare që ofrojnë shërbime psiko-sociale për fëmijët dhe adoleshentët
  •    Institucione publike që hartojnë politika për fëmijët dhe adoleshentët
  •    Organizata jo-fitimprurëse
  •    Institucione dhe organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të të miturve, etj.

Programi i studimit Master Profesional në “Psikologji Klinike”

Programi i studimit Master Profesional në Psikologjinë Klinike është ndërtuar për t’iu përgjigjur nevojës së shumë psikologëve të shëndetit mendor të cilët ndihen të izoluar nga zhvillimet më të fundit përsa i përket paradigmave të vlerësimit dhe ndërhyrjeve të cilat lejojnë që shërbimet ndaj pacientëve të jenë efektive dhe afatgjata. Psikologët klinikë tentojnë ta ofrojnë shërbimin e tyre duke u mbështetur në njohuri dhe aftësi të cilat me ndryshimet e vrullshme teorike dhe praktike në fushën e shëndetit mendor, mbeten të izoluara dhe shpesh jo të përshtatshme për nevojat e pacientëve.

Synimi i këtij programi studimi është t’iu paraqesë studentëve modalitetet e trajtimit duke përfshirë qasjet më tradicionale të trajtimit sikurse janë ndërhyrjet psikotropike dhe terapinë kognitiv-biheviorale. Vëmendja e studentit do të drejtohet drejt zhvillimeve më të fundit të trajtimeve të cilat synojnë përmirësimin e simptomave në disa raste deri në përmirësimin në tërësi të shëndetit fizik dhe mendor. Ndërhyrje të tilla përfshijnë hipnozën, meditimin, bio dhe neurofeedback-un, ushtrimet psikoterapeutike, etj. Klinicistët udhëhiqen drejt ndërtimit dhe përdorimit në vazhdimësi të protokolleve të trajtimit, të cilat parashikojnë edhe trajtimin multidisiplinar të pacientit.