Departamenti i Inxhinierive

Përgjegjës Departamenti: Dr. Genta Rexha

Departamenti i Inxhinierive është ngritur në vitin 2010 nga një staf i përgatitur akademik, si pjesë e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, duke hedhur bazat për krijimin e programeve të studimit Bachelor dhe Master i Shkencave në fusha të ndryshme të inxhinierisë. Aktualisht Departamenti i Inxhinierive ofron pesë programe studimi Bachelor:

  • Inxhinieri Elektrike
  • Inxhinieri Elektronike
  • Inxhinieri Kompjuterike
  • Inxhinieri Mekatronike
  • Teknologji Informacioni

dhe katër programe studimi “Master i Shkencave”:

  • Inxhinieri Elektronike
  • Inxhinieri Kompjuterike
  • Inxhinieri Mekatronike
  • Teknologji Informacioni

Programet e studimit Bachelor japin njohuritë bazë, të nevojshme për formimin e inxhinierëve të rinj, të aftë për të hedhur hapat e para në tregun e punës në fushat përkatëse, dhe hedhin themelet për avancimin e studimeve të mëtejshme në programet Master.

Programet e studimit Bachelor, përveç pasurimit të studentëve me njohuritë e nevojshme shkencore teorike, që lidhen me fushat e tyre të studimit, formojnë tek ta, përmes praktikave formuese dhe laboratorike, shprehitë e nevojshme teknike, në mënyrë, që ata të jenë të aftë të përballen me problematika të ndryshme inxhinierike, t’i analizojnë ato dhe t’i zgjidhin vetëm apo në bashkëpunim me të tjerë. Ky aftësim i tyre praktik i afron ata më shumë drejt tregut të punës.

Programet e studimit Master i Shkencave u ofrojnë studentëve njohuritë e nevojshme për të përvetësuar kompetenca të avancuara shkencore dhe profesionale në fushën inxhinierike përkatëse, përmes metodave, instrumenteve dhe teknikave inovative.

Formimi teoriko-praktik në kuadër të Masterit të Shkencave bën të mundur integrimin e shpejtë të të diplomuarve në tregun e punës.

Mënyra e realizimit të mësimdhënies bazohet në metoda, teknologji e literaturë bashkëkohore.

Ne dispozicion të studentëve dhe stafit akademik, departamenti ofron laboratorët si më poshtë:

  •   Laboratori i informatikës
  •   Laboratori i fizikës
  •   Laboratori i kimisë
  •   Laboratori i elektroteknikës
  •   Laboratori i elektronikës analoge
  •   Laboratori i elektronikës dixhitale
  •   Laboratori i matjeve elektrike dhe elektronike
  •   Laboratori i automatikës dhe kontrollit
  •   Laboratori i makinave elektrike

Këta laboratorë janë të pajisur me aparatura dhe pajisje bashkëkohore në përputhje me kërkesat e programeve të studimeve. Biblioteka elektronike shkencore e departamentit ka një liste të gjerë e të larmishme librash dhe studimesh shkencore, të cilat përditësohen rregullisht.