Departamenti i Farmacisë

Përgjegjës Departamenti: Dr. Dorina Dervishi

Qëllimi dhe misioni i programit të studimit Master i Shkencave në “Farmaci” përputhet plotësisht me misionin e Albanian University, për një arsimim cilësor universitar, edukimin me vlerat më të mira morale, zhvillimin e kërkimit shkencor, me qëllim që të sigurojë formimin e specialistëve të aftë profesionalisht që mund të çojnë përpara proçesin e zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit tonë.

Për hartimin e kurrikulës së programit të studimit të integruar të nivelit të dytë në Farmaci në Albanian University, Departamenti është konsultuar me një numër të madh kurrikulash universitare për degën e Farmacisë të vendeve të Europës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas ekzaminimit të këtyre kurrikulave ne u mbështetëm kryesisht në kurrikulën e degës Farmaci, të Fakultetit të Mjekësisë, në Universitëtin e Tiranës dhe në kurrikulat e Fakulteteve të Farmacisë të Universitetit të Milanos dhe të Padovës.

Kohëzgjatja e periudhës së studimeve është 5 vjeçare, ku për 9-të semestra zhvillohet proçes i rregullt mësimor, kurse semestri i 10-të është parashikuar praktikë profesionale.

Pas përfundimit me sukses të provimit të diplomës, të programit të studimit të intëgruar të nivelit të dytë, studentët fitojnë titullin “Master i Shkencave në Farmaci”.

Master i Shkencave në Farmaci në Albanian University ka si objektiv kryesor të sigurojë njohuri teorike dhe praktike për të diplomuar studentë me një bazë të shëndoshë shkencore të nevojshme për të praktikuar profesionin e farmacistit dhe për të punuar në fushën e shëndetësisë në rolin e ekspertëve të barnave dhe produkteve të kujdesit shëndetësor (kozmetike, dietike, ushqimore, produktëve bimore, artikujve sanitarë, etj).

Ky program studimi u ofron studentëve mundësi për aplikimin e njohurive multidisiplinare të fituara gjatë proçesit mësimor në praktikat profesionale, në farmaci të hapura për publikun nën drejtimin e një farmacisti. Studentët që përfundojnë studimet në Farmaci, në Albanian University zotërojnë aftësi e njohuri të nevojshme për të vazhduar trajnime në shkolla pas universitare, në doktoraturë dhe Master  të nivelit të dytë si dhe janë të autorizuar të ushtrojnë veprimtari profesionale të tilla si të prokurimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së barnave, përgatitjeve Galenike, kontrollin e cilësisë se barnave, farmakovigjilencë, farmakoepidemiologji, promovimin e shëndetit, edukimin shëndetësor, informacion mbi produktët mjekësore dhe pajisjet mjekësore, monitorimin dhe analizimin e kostos së barnave.