Departamenti i Edukimit dhe Anglishtes

Përgjegjës Departamenti: Dr. Ndriçim Mehmeti

Departamenti i Anglishtes dhe Edukimit bën pjesë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore. Për herë të parë është ngritur në vitin 2010. Departamenti i Anglishtes dhe Edukimit ofron tre programe studimi të ciklit të parë (Bachelor) dhe dy programe të ciklit të dytë, master profesional me dy profile “Didaktikë” dhe “Menaxhim Arsimi” si dhe një program Master i Shkencave” Mësuesi për Arsimin Fillor”.

Programi Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Fillor” përgatit mësues për të dhënë mësim në klasat e ciklit të ulët të arsimit bazë ose klasat I-V. Një objektiv tjetër përcaktues i programit është pajisja e studentëve me njohuritë dhe aftësitë bazë që shërbejnë për studime të nivelit master në “Edukimin e specializuar të fëmijëve”.

Programi Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Fillor” synon të formojë personel të aftë që të punojnë në tregun kombëtar të punës:

  •    Në shkolla të arsimit publik si mësues të ciklit të ulët të arsimit bazë 9-vjeçar;
  •    Në shkolla të arsimit privat si mësues të ciklit të ulët të arsimit bazë 9-vjeçar;
  •    Në drejtori arsimore rajonale ose zyra arsimore të bashkive si specialistë të arsimit fillor;
  •    Në agjenci publike si specialistë të arsimit fillor;
  •    Në agjenci private si specialistë të arsimit fillor;
  •    Në OJQ të specializuara për punë edukative si trainues dhe këshillues për edukimin e fëmijëve të moshës 6-11 vjec.

Programi Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Parashkollor” konsiston në përgatitjen e mësuesve që do të punojnë me fëmijët e moshës 2-7 vjeç të cilët janë regjistruar në institucionet parashkollore publike dhe private, të tilla si qendra të kujdesit të fëmijëve, kopshte të fëmijëve, etj. Studentët që do të diplomohen në programin bachelor në “Mësuesi për arsimin parashkollor” do të kenë këto mundësi në tregun e punës:

  •    në institucionet publike të arsimit parashkollor (kopshte) si mësues ose edukatorë kopshti;
  •    në institucionet publike të arsimit parashkollor (kopshte) si drejtues ose menaxherë;
  •    në institucionet publike të arsimit parashkollor (kopshte) si mësues ose edukatorë;
  •    në institucionet private të arsimit parashkollor (qendra të kujdesit për fëmijë) si mësues, edukatorë ose kujdestarë.
  •    në drejtori arsimore rajonale ose zyra arsimore të bashkive si specialistë të edukimit parashkollor.

Programi bachelor në “Anglisht”, pjesë e Departamentit të Edukimit, është program studimi i ciklit të parë, me kohëzgjatje normale 3 vjet, 180 kredite dhe forma e studimit është me kohë të plotë. Ky program synon të pajisë studentët me njohuri të thelluara për gjuhën dhe kulturën angleze dhe amerikane. Në përfundim të programit 3-vjeçar, për të fituar diplomën Bachelor, studentët do të kenë përvetësuar dije që synojnë formimin e njohurive teorike bazë dhe shprehive të përdorimit praktik të gjuhës angleze, duke pasur në vëmendje nevojat që ka tregu i punës për njohës profesionistë të kësaj gjuhe. Gjithashtu, ky program u ofron studentëve baza njohurish për një zhvillim të mëtejshëm në programe te specializuara, që orientohen në studimin e profileve të detajuara të gjuhës angleze, të nivelit master apo në kurse specifike trajnimi.

Në përfundim të studimeve të ciklit bachelor të diplomuarit mund të punësohen;

  • Në institucionet qeveritare apo joqeveritare ku kërkohen zotërues të përgatitur të gjuhës angleze në rolin e përkthyesit apo si asistentë në projektet që punojnë kryesisht me gjuhën angleze;
  • Në administratën arsimore rajonale;
  • Në agjenci të ndryshme shërbimesh;
  • Në institucionet mediatike;
  • Në organizatat ndërkombëtare.

Programi i studimit Master Profesional në “Pedagogji”

Profili: Menaxhim Arsimi

Programi MP në Pedagogji sigurohet në dy profile: Menaxhim Arsimi dhe Didaktikë.

Studentët e profilit Menaxhim Arsimi do të formohen me konceptet, idetë dhe parimet teorike të menaxhimit të arsimit. Gjithashtu ai i formon ata me njohuri të mjaftueshme për legjislacionin, strategjitë dhe politikat arsimore dhe ato të drejtimit të shkollës dhe arsimit si edhe formëson te ata aftësi dhe  shprehi për veprimtari drejtuese dhe menaxhuese të shkollës dhe arsimit.

Studentët e profilit Didaktikë do të kuptojnë në teori dhe praktikë se ç’do të thotë “mësimdhënie” e suksesshme, do të kuptojnë rëndësinë e menaxhimit efektiv të klasës për të arritur një “mësimnxënie të suksesshme” si edhe do të njihen me komponentët, teknikat dhe strategjitë mësimore.